Shqipëria mirëpriti këtë vit edicionin e dytë të festivalit më të madh të arkitektëve, “Bread and Heart” (“Bukë e Zemër”) duke treguar në simbolikë se janë gati të japin tokën dhe sigurinë për të gjithë ata që duan të investohen në projekte dhe ide. Kripa, shija e ushqimit, janë vizionet që ndahen nga profesionistët në këtë takim e pritet të sillen e të marrin jetë në rrugët dhe ndërtesat në vend.
Hapësira për ndërtim, kjo ka qenë kryefjalë për qytetet në zemër të Shqipërisë dhe përgjatë gjithë bregdetit. Ky fllad i pas viteve ’90 ka sjellë në vendin tonë mijëra arkitektë, zhvillues, urbanistë e profesionistë të mirënjohur të cilët kanë lënë gjurmë në qytetet ku kanë punuar.
Vetëm në 5 vitet e fundit në Tiranë u dha leje për ndërtim për mbi 9 milionë metër katror tokë duke e kthyer vendin në një fushë të etur për investime dhe një fletë të bardhë gati për t’u mbushur me idetë e arkitektëve nga studio me rëndësi.
Kjo reflektohet edhe në faktin që në festival morën pjesë figura të mirënjohura si Francis Kéré (Kéré Architecture) – Laureat i Çmimit Pritzker, i njohur për dizajnet e tij të qëndrueshme dhe të orientuara drejt komunitetit. Jeanne Gang (Studio Gang) – Arkitekte e njohur amerikane e famshme për dizajnet e saj inovative të ndërtesave të larta dhe urbanizmin ekologjik. Bjarke Ingels (BIG) – arkitekt danez i cili mori pjesë në“Becoming Friends with Floods” për të diskutuar planifikimin elastik të ciklit të ujit.
Pierre de Meuron (Herzog & de Meuron) – Bashkëthemelues i firmës arkitekturore zvicerane me ndikim të madh. Sumayya Vally (Counterspace) – Arkitekte jugafrikane e njohur për hapësirat e saj të udhëhequra nga kërkimet dhe shprehëse kulturore.
Ma Yansong (MAD Architects) – Arkitekti kryesor kinez që shtyn kufijtë e strukturave futuriste, të frymëzuara nga natyra. Stefano Boeri (Stefano Boeri Architetti) – arkitekt italian i njohur për konceptet e tij të “Pyllit Vertikal” dhe integrimin e pylltarisë urbane. Reinier de Graaf (OMA) – Partner në Zyrën për Arkitekturën Metropolitane dhe një teoricien i shquar i arkitekturës.
Me një shikim rreth e rrotull në Tiranë mund të shohësh projektimin e vizioneve që dikur u hodhën në letër e sot janë gati për t’u jetuar. Ndaj edhe secili prej pjesëmarrësve në festival është një mundësi e jashtëzakonshme për vendin teksa ngre lart emrin e Shqipërisë duke i dhënë seriozitet në arenën botërore për të përthithur projekte ndërkombëtare prestigjoze.

