Dizajnerët më të njohur në botë po sugjerojnë një rikthim te mobiljet me qëllim të caktuar në shtëpi. Nëse deri më tani ka mbizotëruar një trend që i bënte shtëpitë të ishin estetikisht të bukura edhe pse mund të ishin larg të qënit komode, duket se kjo po ndryshon.
Të qënit në kontakt me kaq shumë teknologji dhe me përparimin e Inteligjencës Artificiale në ritme shumë të shpejta ka bërë që njerëzit të duan të kthehen në diçka më natyrale në momentin që kthehen në shtëpi.
Banesa po shihet tani më shumë si një shkëputje nga një jetë e vrullshme, ndaj në trendet e 2026 mbizotërojnë ngjyrat e tokës dhe sa më natyrale. Një jeshile e thellë, rrëshirë, druri, guri dhe blu.

Më shumë njerëz po kërkojnë që të jenë autentik që nga mënyra se si zgjohen në mëngjes. Duan të kenë hapësirën e tyre më pranë me atë që përfaqësojnë apo ndiejnë dhe me larg asaj që është thjesht shumë e përshtatshme për Instagramin. Duke pasur një qasje më pranë natyrales në dhomat e ndenjes janë kthyer jastëkët me ngjyra dhe me materiale të buta që ofrojnë komoditet në çdo orë të ditës dhe mbrëmje ku ndiheni të mirëpritur për të kaluar kohë larg pritshmërive të një jete sociale që ndjek të pamundurën.

I mbani mend tapiceritë që gjyshet i vendosnin në mure për të treguar status ose estetikë, nëse keni ende një të tillë është koha ta riktheni. Përdorimi i pikturave në tapetët që varen në mur po vijnë si një mundësi për të rikthyer një nostalgji, por edhe për t’i bërë banesat më të ngrohta për syrin. Ju keni mundësi të tregoni botën tuaj ndërsa banesa juaj duket e veçantë dhe në modë.
Tapiceritë shihen edhe si një mundësi që ndikon në përmirësimin në mënyrën se si ju flini, duke e bërë atë më të shëndetshme për përthithja më e thellë e ngjyrave dhe dritës.

Ngjyra? Ngjyra. Në trend këtë vit janë ngjyrat të cilat i rikthejnë jetë ambienteve tona të cilat shpesh mbizotërohen nga mobilje minimaliste, të lehta për t’u arreduar e që nuk na kërkojnë shumë aksesorë shtëpiakë që të quhen bukur, pasi mjaftonin të ishin të thjeshta e të pastra.

A po bëhemi si nënat tona? Kjo mund të jetë pyetja që ju ka lindur nëse jeni duke arreduar banesën tuaj, ky vit në fakt na sjell pikërisht në këtë fazë kur ka mbaruar rebelimi dhe hapësirat tona i duam të përdorshme, nëse nuk përdoret, po merr më shumë hapësirë se sa duhet. Kuzhina me elemente sa më praktike dhe një ambient që të fton të jesh më pranë njerëzores, gati për të pjekur pak më shumë se duhet biskotat.

Krijimi i ambienteve më pak ‘nonchalant’ është mënyra se si po kthehemi te jetesa e vërtetë me secilën prej mobiljeve që vendosim të shtojmë në hapësirën tonë të banesës. Arredimi i ambienteve të banesës ju fton që të shkoni drejt sendeve dhe mobiljeve që tregojnë se janë aty për një qëllim, pa qenë nevoja për të rënë në sy.

